Të Festojmë Familjen Orthodhokse ka qenë kjo tema e kampit familjar të zhvilluar në Elbasan prej datës 27-31 korrik. 24 familje (75 persona) patën mundësi të viziononin të ardhmen e tyre duke parë kush ishte shpresa dhe ëndrra që ata kishin për familjen e tyre. Duke hedhur vështrimin mbrapa tek e shkuara në familjet e tyre të origjinës ata patën mundësi të shikonin çfarë ishin gjërat që I sillnin plotësi në jetë dhe çfarë gjërash kishin shkaktuar thyerje, çfarë i sillnin gëzim dhe çfarë sillnin dhimbje. Ata patën mundësi të shikonin çfarë ishin gjëra për të cilat ata duhet të ishin mirënjohës në jetë dhe çfarë ishin gjëra për të cilat duhej të ofronin apo kërkonin falje. Familjet reflektuan mbi gjërat të cilat e bënin themelin e shtëpisë tyre të fortë dhe ato që e bënin themelin të dobët. Ata u inkurajuan që të ndërmerrnin një vendim praktik përmes së cilit do të punonin për t’a forcuar themelin e shtëpisë edhe më shumë. Duke u mbështetur tek Shkrimi i Shenjtë ata u nxitën që në shtëpitë e tyre të flasin bekime. Duke parë familjet nga Shkrimi i Shenjtë por edhe nga jeta jonë personale ne kuptuam se Perëndia është në gjendje të transformojë familjet tona të rëna dhe t’i përdori ato që të bëjë vullnetin e Tij ashtu siç bëri edhe me familjet e rëna të Biblës.