Në ditën e festës së Lartësimit të Kryqit fëmijët në Tiranë u mblodhën pranë tij për të vazhduar udhëtimin drejt Mbretërisë së Perëndisë. Sakrifica e Krishtit mbi kryq na kujton dashurinë e Tij pakushte për ne, një dashuri të cilën thirremi ta ndjamë me të tjerët. Në këtë vit të ri akademik fëmijët në lagje të ndryshme të Tiranës do të mësojnë historinë e shpëtimit, pra veprën shpëtimtare të Krishtit në botë si dhe rolin që secili prej nesh luan si qytetarë i Mbretërisë së Perëndisë në këtë histori.
Kur kujtuam për dhuratën e bukur që Perëndia na ka dhënë, krijimin, fëmijët patën mundësi që me plastelinë të ndërtonin botën. Aftësitë e tyre krijuese të shprehura aq bukur në këtë punim nxirrnin në pah faktin se ne të gjithë jemi krijuar në imazhin e Perëndisë dhe përpjekja jonë si të krishterë është të reflektojmë në botën ku jetojmë imazhin e Krishtit brenda nesh si dhe krijueshmërinë e Tij.
Ftojmë të gjithë fëmijët në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë që të afrohen dhe marrin pjesë në aktivitetet e edukimit të krishterë në famullitë e qytetit apo fshatit të tyre, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për çdo njeri se formimi personal në ngjashmëri me imazhin e Perëndisë dhe reflektimi i këtij imazhi në botë si dëshmues të Krishtit në ditët tona.
Timber by EMSIEN 3 Ltd BG