Guri 8- Ruthi
Objektivat:
• Nxënësit të mësojnë se Ruthi ishte stërgjyshja e mbretit David prej linjës së të cilit do të vinte Krishti.
• Nxënësit të inkurajohen të imitojnë shembullin e Ruthit që vendosi të ndiqte Perëndinë e Izraelit.
• Nxënësit të kuptojnë se shembulli kryesor të cilin duhet të ndjekim në jetë është vetë Zoti ynë Krishti.
Materiale: gjurmët në dysheme, formët e gjurmëve për mësimin, veshjet për Ruthin dhe Neomin, power – point me sfondin e Ruthit dhe Neomit, lapsa për çdo nxënës, kallëza gruri (të printuara nëse jo origjinale), shportë.
Vargu përmendësh: Sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj dhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë popull im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im. (Ruthi 1:16).
Kur fëmijët të vijnë do të ndjekin gjurmët e këmbëve të vendosura tek dera e deri tek karriget.
Mbi çfarë ecët ndërsa hytë brenda në klasë? (Gjurmë)
Shpjegoju: Ne të gjithë lëmë gjurmë ndërsa udhëtojmë përgjatë jetës. Disa herë ndjekim gjurmët e dikujt tjetër dhe përpiqemi të veprojmë ashtu si veproi ajo/ai person që ne po ndjekim. Por ka edhe të tjerë që po na shohin ne dhe ata ndoshta janë duke na imituar ne. Çdo gjë që bëjmë lë një përshtypje tek dikush tjetër, ashtu si gjurmët tona lënë shenjë mbi rërë apo baltë. Kur bëjmë diçka të mirë, japim një shembull të mirë për të tjerët, por kur bëjmë diçka të keqe, lëmë një shembull të keq. Sot do të flasim për dy gra të cilat e dinin rëndësinë e të ndjekurit dhe të të qënit një shembull i mirë.
Neomi dhe Ruthi:
(Dy femra do të vishen njëra si Neomi dhe tjetra si Ruthi. Në sfond do të jenë imazhe të ndryshme për të treguar se ku janë. Si fillim do të jetë vetëm Naomi.)
Neomi: Unë jam Neomi dhe jam nga Betlehemi. Familja ime u largua nga Betlehemi kur ra një zi buke. Bashkë me burrin tim dhe dy djemtë shkova në vendin fqinj, në Moab. Atje kishte për të ngrënë. Pas ca kohe im shoq vdiq. Unë bashkë me djemtë qëndruam në Moab. Kur djemtë u rritën u martuan me dy vajza nga Moabi, por të dy djemtë më vdiqën dhe ngela vetëm me nuset.
Më erdhi keq për nuset dhe u thashë: “Unë do të kthehem në Betlehem, ndërsa ju këtu jeni në shtëpinë tuaj. Qëndroni këtu, që të jeni të lumtura!” Njëra prej tyre qëndroi ndërsa Ruthi më tha:
Ruthi: “Unë do të vij me ty! Kudo që të shkosh ti do të shkoj dhe unë, dhe kudo që të rrish ti, do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im. Nuk do të të braktis kurrë.
Neomi: Kështu të dyja bashkë u nisëm për në Betlehem. (ecin të dyja bashkë)
Ruthi: Kur mbërritëm atje, ishte koha e të korrave. Në Beltehem të varfërit mblidhnin kallinjtë që linin pas korrësit. Kështu që unë shkova të mblidhja kallinj që të mund t’i haja bashkë me Neomin. Një ditë i zoti i arës Boazi kaloi andej dhe më pa. Ai u tregua i sjellshëm me mua dhe më tha se më lejonte të mblidhja kallinj në arën e tij. Ai u tha edhe shërbëtorëve të linin disa kallinj më tepër në arë kur unë të isha atje. Kur u ktheva atë ditë në shtëpi i tregova Neomit.
Neomi: Boazi është kushëriri ynë. Tani gjithçka do të na shkojë mbarë, spese ai do të na ndihmojë. Ai na ndihmoi me se të kishte mundësi. Boazit i pëlqeu Ruthi dhe i tha se kishte parë se sa mirë kujdesej për mua, se e kishte zemrën të mirë. Kështu dhe i kërkoi të bëhej gruaja e tij. Ai i ofroi Ruthit që edhe unë të jetoj bashkë me ta. Kështu ata u martuan. Ruthi që vinte nga një vend i huaj gjeti atdheun e saj të ri. Pas një viti ata lindën dhe djalin e vogël të cilit ia vunë emrin Odeb.
Neomi: Ruthi jo vetëm që zgjodhi të më ndiqte e të jetonte në atdheun tim, por zgjodhi të besonte tek Perëndia im gjithashtu. Perëndia e bekoi Ruthin duke i dhënë asaj Odebin prej të cilit do të lindej Isai. Prej Isait lindi mbreti David prej linjës së të cilit do të lindte dhe Shpëtimtari ynë Krisht. Siç e shihni Perëndia ynë është ende duke punuar për shpëtimin e popullit të tij Izrael dhe të të gjithë neve që zgjedhim ta ndjekim atë.
Në grup të vogël:
Jepini secilit fëmijë disa gjurmë këmbësh në secilën prej tyre ata duhet të shkruajnë cilësi dhe karakteristikat e mira që vunë re në personazhin e Ruthit dhe Neomit. Pastaj diskutoni këto pyetje:
• Pse zgjodhi Ruthi të qëndrojë me Neomin? Ruthi zgjodhi të qëndrojë me të nga dashuria që pati për vjehërrën.
• Kur Ruthi zgjodhi të qëndrojë me Neomin çfarë tjetër gjë zgjodhi ajo të bëjë? Neomi ishte nga shtëpia e Izraelit dhe e njihte Perëndinë. Ruthi ishte Moabite dhe nuk adhuronte Perëndinë, krijuesin e gjithësisë. Ruthi jo vetëm që po tregonte dashuri ndaj vjehërrës por gjithashtu përmes këtij veprimi pranoi edhe Perëndinë e saj dhe veprën e tij shpëtuese. Ajo zgjodhi të bëhej pjesë e populli të zgjedhur të Perëndisë.
• Pse zgjodhi ajo të ndjekë Neomin? (Mendoj se duhet t’i ketë bërë përshtypje personi i Neomit. Ajo duhet të ketë qenë një nënë e dashur, e ndershme, e mirë, etj. Shembulli që Neomi duhet të ketë lënë tek Ruthi e ka nxitur atë të qëndrojë me vjehërrën, në të kundërt ajo do të ishte larguar kur i vdiq i shoqi.)
• Çfarë lloj shembulli tregoi Ruthi për të tjerët? (Duke mos e lënë vetëm dhe duke siguruar ushqim për të vjehërrën, Ruthi u bë shembull i përkujdesjes)
• Si janë Neomi dhe Ruthi një shembull i mirë për ty? (fëmijët përgjigjen sipas dëshirës dhe përshtypjes që ato kanë lënë tek ata)
Neomi si një Izraelite dha shembull të mirë për Ruthin. Nga shembulli i saj Ruthi vendosi të ndjekë Perëndinë e saj dhe bëhet një shembull i mirë për të gjithë Izraelitët edhe ne. Ashtu si Ruthi dhe Neomi janë edhe mijëra shenjtorë të cilët na kanë dhënë një shembull për t’u ndjekur, shembullin e një personi që jeton me dhe sipas dëshirës së Perëndisë. Padyshim se për të gjithë ata dhe për ne shembulli kryesor është vetë Krishti (trego ikonë e tij që keni në klasë). Ai është personi që tregon dashuri pa kusht, që ofroi veten e tij për shpëtimin tonë. Gjithmonë Ai duhet të jetë shembulli ynë kryesor, por ne mund të mësojmë edhe prej atyre që kanë jetuar një jetë të perëndishme.
Aktivitet në grup: Si dëshiron të kujtohesh prej të tjerëve?
Jepini fëmijëve edhe disa gjurmë të tjera dhe laps dhe kërkojuni që të shkruajnë në to cilësi, veti apo karakteristika të mira të cilat ata duan që të tjerët të kujtojnë kur mendojnë për personin e tyre. (P.sh. Kur përmendim nënë Terezën shumica e njerëzve kujtojn një grua të dashur, bujare, që përkujdesej për të varfërit, etj)
Ofroni disa minuta për ata fëmijë që duan të ndajnë me të tjerët cilësitë që ata dëshirojnë të tjerët ti kujtojnë.
Që të kujtohemi prej të tjerëve me këto cilësi duhet të fillojmë t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë nga tani.