Home » Botime » Mesime katekizmi » Mesimi 10: Toka e Premtuar

Mesimi 10: Toka e Premtuar

Guri 6 – Toka e Premtuar

 

Objektivat:

  1. Nxënësit të mësojnë se Perëndia ynë është një Perëndi që jeton me popullin e Tij.
  2. Nxënësit të kuptojnë se ne ashtu si Izraelitët kur bëhemi qytetar të Mbretërisë së Perëndisë pritemi të jetojmë me Perëndinë.
  3. Nxënësit të nxiten të lexojnë “Fëmijët lexojnë Shkrimin e Shenjtë” nga fq. 90-105 (Perëndi i bërë me duar – Toka e premtuar)
  4. Nxënësit të inkurajohen të jetojnë një jetë Perëndi-nderuese.

 

Materialet: veshje për Mosiun dhe për Jozueun, një shkop, karrige, hartë.

(Përpara se të fillosh mësimin zgjidh dy vullnetarë për “Ndërrimi i rojes” për drejtuesin e Izraelit. Zgjidh një nga fëmijët më të rritur për t’u bërë Moisiu. Një fëmijë të grupit të mesit për t’u bërë Jozueu. Vishini ata me veshjet e tyre dhe jepni Moisiut shkopin.)

Përshëndetje të gjithëve. Gjatë këtij muaji deri më tani kanë patur ditëlindjen ……………………… dhe do të kenë gjatë javës që po vjen ……………………….. Ju lutem le t’u këndojmë atyre së bashku “Shumë urime për ju…”

A mundet dikush nga ju të më tregojë se për çfarë folëm mësimin e kaluar? (10 Urdhërimet)

Faleminderit që na ndihmove të kujtojmë se çfarë keni bërë. Kush prej jush më tregon çfarë vargu biblik mësuam javën e kaluar? Faleminderit. A mund ta përsërisim atë së bashku? (përsërisim vargun)

 

(Kërkoji Moisiut të dali para grupit.)

Thuaj: Pasi kaluan Detin e Kuq Izraelitët për shkak të mëkatit të tyre u endën në shkretëtirë për 40 vjet. Perëndia i kishte dhënë Izraelitëve ligjin (10 urdhërimet) përmes Moisiut sipas të cilave ata duhet të jetonin. Por Izraelitët nuk mund të mbanin në mënyrë të përsosur të gjitha urdhërimet dhe nuk mbajtën premtimin që i bënë Perëndisë se do të ruanin urdhërimet e Tij. Moisiu tashmë kishte arritur në një moshë të madhe dhe Perëndia do të dërgonte një drejtues të ri për popullin e Tij. Perëndia kishte premtuar se do t’a drejtonte popullin e tij përmes shkretëtirës në një tokë të mrekullueshme, tokë të cilën ia kishte premtuar Abrahamit dhe pasardhësve të tij. Perëndia tha se toka ishte e mirë dhe e hapur, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë (Eksodi 3:8). (Në këtë pikë të tregohet harta)Izraelitët tashmë ishin në anën lindore të lumit Jordan. Perëndia do t’u jepte Izraelitëve tokën që ishte në anën perëndimore të lumit Jordan. Toka nuk ishte e papopulluar. Toka ishte vendi i Kananejve, Hititëve, Amorjve, Perizejve, etj. (Trego tek harta me shkop këto vende) Këta njerëz kishin shtëpi, qytete dhe ushtri.

Pyet: A mendoni se këta njerëz do t’ua linin shtëpitë  dhe tokat e tyre Izraelitëve kur të vinin? Padyshim që jo.

Thuaj: Do të shohim se Izraelitët do të marrin pjesë në shumë beteja për të pushtuar tokën. Perëndia u tha Izraelitëve se do t’i mundin të gjithë këta njerëz. (Ligji i Përtërirë 7:1)

 

Ndërrimi i stafetës – Numrat 27:12-23

Thuaj: Moisiu drejtoi njerëzit e Perëndisë për shumë vjet. Për shkak se Izraelitët nuk iu bindën Perëndisë ndërsa ishin në shkretëtirë, Ai nuk i la të hynin menjëherë në Tokën e Premtuar. Udhëtimi nga Egjipti për në vendin (shtëpinë) e tyre të ri duhej të kishte zgjatur vetëm disa ditë, por ata u endën në shkretëtirë për 40 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, Perëndia siguroi për Izraelitët gjithçka që ata kishin nevojë (Ligji i Përtërirë 29:5-6). Ata njerëz të cilët dolën nga Egjipti përmes mrekullish shumë shpejt filluan të ankohen për Perëndinë dhe gjërave që Perëndia kishte siguruar për ta. Atëherë Perëndia tha asnjë prej këtyre që ankohen nuk do të hyjë në Tokën e Premtuar. Vetëm Jozueu dhe miku i tij Kaleb do të hynin (Numrat 14:21-24, 30) sepse ata ndoqën Perëndinë me gjithë zemër (Numrat 32:12). Pas 40 vjetësh orvajtje (endje) e gjithë gjenerata e njerëzve që u çliruan nga skllavëria në Egjipt kishin vdekur përveç Jozueut dhe Kalebit.

(Thërrit Jozueun të vijë të interpretojë bashkë me Moisiun.)

Që kur ishte djalë i vogël Jozueu kishte qenë ndihmës i Moisiut (Numrat 11:28). Perëndia i tha Moisiut se ai  nuk do ta shikonte Tokën e Premtuar. Moisiu i kërkoi Perëndisë të caktonte dikë tjetër që të drejtonte popullin e Izraelit. (Fëmijët të interpretojnë në këtë pikë me lëvizje)

Perëndia i tha Moisiut të vendosi dorën e tij mbi Jozueun i cili mori frymën e urtësisë (Numrat 27:18; Ligji i Përtërirë 34:9). Perëndia i tha Jozueut se ai do të drejtonte Izraelitët në Tokën e Premtuar (Ligj. Përt. 31:23). Perëndia e paralajmëroi se pasi Izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar dhe jetët e tyre të shkonin mirë, do të fillonin të largoheshin nga Perëndia dhe do të adhuronin perëndi të tjera. Perëndia tha se për shkak të sjelljes së tyre do të ndëshkohen.

(Përdor një karrige në të cilën të hipi Moisiu) Perëndia e udhëzoi Moisiun të hipte në mal. Prej atje mund të shihte tokën e Kananit, që ishte Toka e Premtuar. (trego nga larg “Tokën e Premtuar”.

Perëndia i pati premtuar Moisiut se do të ishte me të (Eksodi 3:12) dhe Perëndia ynë i mban premtimet e Tij gjithmonë. Tashmë që Jozueu po drejtonte Izraelitët Perëndia i tha: “Ashtu siç kam qenë me Moisiun kështu do të jem me ty.” (Jozueu 1:7)

“Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.” (Jozueu 1;6-9)

A e vutë re sa herë Perëndia i tha Jozueut të ishte i fortë dhe trim? Pse mendoni se e përsëriti kaq shumë herë Perëndia këtë frazë? (Sepse ishte e rëndësishme. Perëndia donte që Jozueu ta kujtonte, sepse ndërsa po shkonin në shtëpinë e re kohë të vështira po afronin. Do të kishin për t’u përleshur në shumë beteja. Ashtu sikurse Izraelitët edhe ne duhet të jemi të fortë dhe trima për çdo vështirësi ose pengesë që hasim ndërsa jetojmë në shtëpinë e re, Mbretërinë e Perëndisë.

 

Vargu përmendësh: Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh. {Jozueu 1:9}

 

Kënga: Ji i fortë dhe trim

Ji i fortë dhe trim

I fortë dhe trim. -Ji i fortë! (3x)

Ji i fortë dhe trim.

 

Ti jo mos kij frikë,

Ti jo mos u thyej,

Se me ty është Zoti Perëndi

Kudo që të shkosh.

 

I fortë dhe trim. -Ji i fortë! (3x)

Ji i fortë dhe trim.

Perëndia do na bëjë të fortë.

Të fortë edhe trima.       (2x)

 

I fortë dhe trim.- Ji i fortë! (3x)

Ji i fortë dhe trim!

I fortë dhe trim.- Ji i fortë!

Ji i fortë dhe trim!

 

Në grup të vogël:

Toka e Premtuar ishte vendi që Zoti i premtoi Abrahamit se do ta dërgonte kur i kërkoi të largohej nga vendi i tij i lindjes. Për ne largimi nga vendi i lindjes ishte gjithashtu drejt një vendi tjetër, Mbretërisë së Perëndisë. Përmes pagëzimit ne bëhemi qytetar të Mbretërisë së Perëndisë. Tashmë që Izraelitët janë në Tokën e Premtuar janë kërkuar nga Perëndia të jetojnë me Të. Izraelitët duhet të nderojnë Perëndinë që i nxorri nga Egjipti dhe të mos adhurojnë perëndi të tjera. Ashtu si Izraelitët edhe ne kur bëhemi Qytetar të Mbretërisë së Perëndisë thirremi të jetojmë një jetë që e nderon Perëndinë, një jetë në presencë të Perëndisë. Kjo do të thotë ta kemi Perëndinë pjesë të çdo aspekti të jetës sonë.

Bisedo me shokun në krah: Ndani me shokun një mënyrë se si do të jetoni ju me Perëndinë përmes kësaj jave? Tregoni përgjigjen e shokut kur të ktheheni në grup të madh. (p.sh. unë do të jetoj me Perëndinë gjatë kësaj jave përmes lutjes. Do të komunikoj me Zotin për çdo gjë në jetën time. Do të flas me Të kur jam mirë dhe kur jam keq.) Kur të jeni në grup të madh shkruani një listë me përgjigjet e fëmijëve. Në fund kërkojuni fëmijëve që gjatë javës të lexojnë nga Bibla e tyre “Fëmijët lexojnë Shkrimin e Shenjtë” fq. 90-105.

Perëndia i tha Jozueut të ishte i fortë dhe trim, të mos kishte frikë e të mos thyej sepse Zoti Perëndi ishte me të. Ky është një premtim që Perëndia i bën secilit prej nesh që vendosim ta ndjekim atë. Sa herë që të jeni në një situatë të vështirë dhe t’ju mbulojë frika (p.sh. nëse dikush në shkollë bën të fortin ose tallet me ty) kujtoni fjalët e Zotit “Ji i fortë dhe trim, unë Zoti Perëndia jam me ty”. Në çdo situatë të vështirë kujtoni “Ji i fortë dhe trim”

Armatimi i perendise:

armatimi 3

Ji i forte dhe trim

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/Ji-i-forte-dhe-trim.pdf”]

Jozueu 1-9

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/Jozueu-1-9.pdf”]

Toka e premtuar

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/toka-e-premtuar.pdf”]

Vargu biblik

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/vargu-biblik.pdf”]

Ji i fortë dhe trim

Timber by EMSIEN 3 Ltd BG