Home » Botime » Mesime katekizmi » Mesimi 9:Dhënia e Ligjit në Sina (Eksodi 20; Ligji i Përtërirë 5)

Mesimi 9:Dhënia e Ligjit në Sina (Eksodi 20; Ligji i Përtërirë 5)

Guri 5 – Dhënia e Ligjit në Sina (Eksodi 20; Ligji i Përtërirë 5)

Objektivat:

  1. Nxënësit të kuptojnë përmes Ligjit shenjtërinë e Perëndisë dhe mëkatshmërinë tonë.
  2. Nxënësit të kuptojnë se Perëndia dha Ligjin e Tij për të na treguar nevojën e plotë që kemi për Të.
  3. Nxënësit të nxiten të jetojnë me Perëndinë.

Materialet: 10 urdhërimet në kartona, 2 rroba një e larë dhe tjetra pis, vargjet përmendësh, lokomotiva dhe 10 vagonat me 10 urdhërimet (një set për secilin grup), ngjyra, tabakë, ngjitës si buzëkuq.

Vargu Përmendësh: “Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit”.(Romakët 3:20) (5 minuta)

Që nga koha kur Adami dhe Eva mëkatuan në kopshtin e Edenit, dëshira e Perëndisë ka qenë të rregullojë marrdhënien e prishur midis Perëndisë dhe njeriut. Perëndia bëri një besëlidhje. Besëlidhja është premtimi i Perëndisë i cili nuk mund të thyhet. Besëlidhja deklaronte se Perëndia dëshironte një marrdhënie me njerëzit, por në mënyrë që të kishte një marrdhënie dashurie, njerëzit duhej të largoheshin prej mëkatit.  Perëndia premtoi se do të dërgonte një Çlirimtar që do të shtypte satanin (Zanafilla 3:15). Perëndia gjithashtu lidhi një besëlidhje, një premtim përjetë me Abrahamin. Perëndia premtoi se përmes bijve të Abrahamit të gjithë në tokë do të bekoheshin. Perëndia tha se familja e Abrahamit, të quajtur Izraelitë, do të ishin populli i Tij dhe ata do të ishin një shembull për të gjithë botën. Herën e fundit pamë se vite pas vdekjes së Abrahamit Izraelitët u bënë skllevër në Egjipt. Perëndia dërgoi Moisin për t’i nxjerrë nga skllavëria dhe Moisu e drejtoi popullin e Izraelit nga Egjipti për në Tokën e Premtuar.

Urdhërimet: (15 minuta)

Ditën e parë të muajit të tretë nga dalja prej vendit të Egjiptit, po atë ditë, bijtë e Izraelit arritën në shkretëtirën e Sinait. Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit. Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: “Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit: “Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje. Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit”. (Eksodi 19:1-6)

  • Si mendoni deri në këtë pikë a i kishin besuar Izraelitët Perëndisë në shkretëtirë?

Jo, ata përballë çdo vështirësie ankoheshin dhe dyshonin në mirësinë e Perëndisë.

 

Kur Perëndia dha premtimet “Nëse – Atëherë” Izraelitët duhet ta kishin pranuar se nuk mund të mbanin anën e tyre të besëlidhjes me Perëndinë. Por në vend të saj ata ranë dakort me Perëndinë. Ata thanë: “Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti” (Eksodi 19:8)

E vërteta është se këta njerëz nuk kuptuan thellësinë e problemit të mëkatit të tyre, dhe nuk kuptuan shenjtërinë e Perëndisë. Perëndia është Mjeshtri dhe u dha atyre një projekt për të bërë. Ai u tha njerëzve të lanin rrobat. Kjo mund të na duket e habitshme neve sepse çdo ditë ne veshim rroba të lara, por kujtoni që populli i Izraelit kishin udhëtuar në shkretëtirë për tre muaj. A e mendoni dot sa të pista duhet të kenë qenë rrobat e tyre? (Mësuesi tregon një rrobë të pisët).

Kur Perëndia u tha të lanin rrobat, po i ndihmonte të kuptonin se ashtu siç kishin rrobat pis, ashtu kishin ndotur dhe zemrat dhe kishin nevojë për Perëndinë që t’i pastronte. Perëndia donte që njerëzit të ishin fizikisht dhe shpirtërisht gati për ta dëgjuar. (Mësuesi tregon një rrobë të pastër dhe të re).

Pasi Izraelitët lanë rrobat, Mosiu i drejtoi në rrëzë (në fund) të Malit.  Perëndia vendosi një vijë kufiri rreth Malit Sina dhe Izraelitët nuk lejoheshin ta kalonin këtë kufi. Nuk duhej të ngjiteshin në mal, madje as ta preknin atë.

Njerëzit u paralajmëruan të mos i afroheshin Perëndisë sepse Ai është i shenjtë, dhe ata janë mëkatarë. Perëndia dërgoi bubullima dhe shkrepëtima, re e dendur, dhe një zë shumë i fortë borie. Të gjithë në kamp u drodhën nga frika dhe madhështia e Perëndisë. Perëndia thërriti Mosiun lart në mal, dhe atje i dha 10 Urdhërimet.

Përmes këtyre 10 Urdhërimeve njerëzit do të mësonin më shumë për Perëndinë. Urdhërimet tregojnë se Ai kërkon një standart të një sjelljeje të përsosur pasi dhe Ai vetë është i përsosur. Perëndia i dha këto urdhërime/ligje t’i tregojë dashuri dhe mbrojte popullit të Tij. Këto rregulla do ta ndihmonin popullin të largohej prej rreziqeve të mëkatit. Urdhërimet i treguan njerëzve nevojën për t’u ndarë nga mëkati dhe për t’u kthyer tek Perëndia. 4 urdhërimet e para flasin për marrdhënien tonë me Perëndinë. 6 të fundit janë për marrdhënien tonë me njerëzit e tjerë.

10 Urdhërimet: (20 minuta)

Tani do të ndahemi në grupe të vegjël. (Njëri mësues do të jetë me grupin, mësuesi tjetër do të jetë në njërin ose dy apo 3 [kjo sipas nevojës dhe kontekstit] ndalesat ku grupet do të vijnë. Në klasë do të jenë vendosur 10 ndalesa ku në secilën prej tyre do të flitet për njërin prej urdhërimeve. Çdo grup do të marri një vagon në secilën ndalesë. Me të ata do të formojnë një murale. Secili fëmijë do të ngjyrosi njërin prej vagonave dhe do t’i ngjisin bashkë në tabakun e madh. Tani le të shohim secilën ndalesë.

Urdhërimi # 1 – Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.

Isaia 45:5 thotë: “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi.”. Kush është Perëndia që ju adhuroni? A keni ju idhuj të tjerë? Ndoshta shumica prej nesh nuk adhurojmë idhuj të huaj, por a e dini se edhe gjëra të mira mund t’i bëjmë perëndi? Nëse lodrat, familja, të qenit i famshëm, lojra elektronike, sportet, hobet, ose çdo gjë tjetër e bëjmë më të rëndësishme së Perëndinë atëherë e kemi thyer këtë urdhërim.

Urdhërimi #2 – Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.

Në kohën e Dhiatës së Vjetër ndalimi i imazheve në adhurim ishte absolut sepse nuk kishte ndodhur akoma mishërimi i Perëndisë. Pas mishërimit të Perëndisë d.m.th lindjes së Jisu Krishtit të cilën e festuam në Krishtlindje është e mundur që në një mënyrë të re të pikturojmë Perëndinë sepse Ai është bërë i dukshëm dhe i prekshëm midis nesh, por akoma është e rëndësishme të mos keqpërdorim pikturat ose gjërat e tjera materiale në adhurimin tonë. Ne kemi kryqin, ikonat, etj. por nuk i adhurojmë ato por i nderojmë. Adhurimi i përket vetëm Perëndisë së vërtetë.

Urdhërimi #3 – Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot.

Gjithmonë duhet të tregojmë respekt ndaj emrit të Perëndisë. Nuk duhet të përdorim emrin e tij më kot. Kultura jonë në përgjithësi tregon mosrespekt ndaj emrit të Perëndisë. P.sh. për t’i vërtetuar dikujt diçka ne themi “për zotin” ose për t’i bërë dikujt qejfin ne themi: “o zot o zot sa e bukur që je bërë, etj” këto janë raste kur përdorim emrin e Perëndisë kot. Bibla na thotë qartë që të mos e keqpërdorim emrin e Perëndisë, gjithmonë ta themi emrin e Perëndisë me respekt.

Urdhërimi #4 – Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.

Në Dhiatën e Vjetër dita e pushimit dhe adhurimit ishte e shtuna. Por me ardhjen e Krishtit, kryqëzimin e tij dhe ngjalljen dita e adhurimit u kthye dita e dielë, dita në të cilën Krishti mundi vdekjen dhe u ringjall. Përmes këtij urdhërimi Perëndia u tregoi njerëzve se trupat e tyre kanë nevojë një ditë në javë të pushojnë dhe adhurojnë. Si me të gjithë urdhërimet e Perëndisë, kjo ishte për të mirën e tyre dhe për të mirën tonë. Edhe sot, kultura jonë promovon mbingarkesën. Aktivitetet dominojnë shumicën e jetëve të njerëzve. Perëndia dëshiron që të ndalojmë e të qëndrojmë në qetësi që ta dëgjojmë Atë, prandaj është mirë që të gjithë të vijmë të dielën në kishë të adhurojmë Perëndinë së bashku.

Urdhërimi #5 – Ndero atin tënd dhe nënën tënde.

Perëndia dëshiron që shtëpitë dhe familjet tona të jenë të mbushura me paqe dhe dashuri. Fëmijët duhet të kenë respekt dhe t’u binden prindërve. Perëndia ka dhënë prindërit për të ndihmuar, mbrojtur dhe mësuar fëmijët. Duke respektuar prindërit, fëmijët tregojnë se kanë respekt për atë që Perëndia ka ofruar për ta.

Çfarë janë disa gjëra përmes së cilave ju mund t’i tregoni respekt prindërve? (duke iu bindur; duke mos ia kthyer fjalën, duke patur një qëndrim pozitiv, duke folur me mirësjellje.)

Ky urdhërim përmban një premtim. Thotë se nëse nderon prindërit ditët e tua do të jenë të gjata mbi tokë (Ligji i Përtërirë 5:16). Gjithashtu premton se gjërat do të të shkojnë mirë në jetë. Perëndia ju ka bërë një premtim dhe Ai i mban premtimet e Tij.

Urdhërimi #6 – Mos vrit.

Perëndia e krijoi njeriun në imazhin e tij dhe Ai i jep jetë të gjithëve. Është gabim t’i marrësh jetën një personi tjetër. Por edhe më shumë se kaq, Perëndia na tregon se nëse dëshirojmë vdekjen e dikujt, kjo është e njëjtë si vrasje. (Mateu 5:22)

Urdhërimi #7 – Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

Kur një person është i martuar, Perëndia u kërkon atyre që të tregojnë dashuri romantike vetëm bashkëshortit ose bashkëshortes së tyre. Bibla gjithashtu na tregon se duhet të kemi mendime të pastra (qashtra) ndaj njerëzve të tjerë.

Urdhërimi #8 –  Nuk do të vjedhësh.

Të vjedhësh do të thotë të marrësh diçka që nuk të përket. Kjo përfshin edhe vjedhjen e përgjigjeve nga provimi i dikujt tjetër.

A ju kanë vjedhur ndonjëherë ndonjë gjë? Të vidhesh është ndjesi e tmershme, apo jo. Perëndia është Ai që na siguron ato që kemi. Ne duhet të kemi besim se Perëndia na jep çdo gjë që kemi nevojë. Të marrim gjërat e të tjerëve tregon se nuk kemi besim ndaj asaj që Perëndia siguron për ne.

Urdhërimi #9 – Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

Perëndia nuk mund të gënjej. Hebrenjtë 6:18 na tregon se është e pamundur që Perëndia të gënjejë (jo sepse Ai nuk ka mundësi, por Ai nuk dëshiron). Në Dhiatën e Re Jisui shpall se Ai është Udha, e Vërteta dhe Jeta (Joani 14:6). Satanai është krejt e kundërta, ai është ati i mashtrimit. Bibla na tregon se gënjeshtra është gjuha mëmë e satanait (Joani 8:44). Ky urdhërim na mëson që të mos bëhemi si Satanai por si Perëndia dhe të themi të vërtetën.

Urdhëri # 10 – Mos lakmo.

Kjo do të thotë që ne nuk duhet të duam atë që kanë të tjerët. Bibla na thotë të kënaqemi me ato që kemi.

Hebrenjtë 13:5 thotë: “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”.

Njerëzit po fillonin të kuptonin standartin e shenjtërisë së Perëndisë dhe rrugët e tyre mëkatare. Shumë shpejt ata kuptuan se vetë ata nuk ishin në gjendje që të mbanin gjithë këto urdhërime në mënyrë të përsosur (pa thyer asnjë prej tyre), gjatë gjithë kohës. Kishin tmerrësisht shumë nevojë për Perëndinë. Jo vetëm ata por edhe ne sot kemi nevojë për Perëndinë prandaj t’i kërkojmë Shpirtit të Shenjtë të na ndihmojë të shohim shenjtërinë e Perëndisë dhe mëkatshmërinë tonë. Një thënie popullore thotë “Pranë një njeriu të madh, kuptoj sa i vogël jam.” Edhe ne para përsosmërisë së Perëndisë kuptojmë papërsosmërinë, dobësinë, mëkatin tonë. Si qytetar të Mbretërisë së Perëndisë le t’i lutemi Zotit të na ndihmojë të jetojmë një jetë duke patur si shembull Perëndinë, Zotin tonë Jisu Krisht.

Muralja: (20 minuta)

Lojra në grup: (30 minuta) Mësuesit gjejnë lojra që do të bëjn me nxënësit gjatë kësaj kohe.

 

Romaket 3-20

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/Romaket-3-20.pdf”]10 urdherimet

10 urdherimet

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/10-urdherimet.pdf”]

Guri 5

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/guri-5.pdf”]

Kenget e Krishtlindjes

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/Kenget-e-Krishtlindjes.pdf”]

Train for kids

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/train-for-kids.pdf”]

Vargjet permendesh deri tek 10 urdhrimet

[gview file=”http://www.pemaejetes.com/wp-content/uploads/2014/10/vargjet-permendesh-deri-tek-10-urdhrimete.pdf”]

10 urdherimet

Timber by EMSIEN 3 Ltd BG