Ne besojmë 1
Adoleshenti duke pasur dhuratën e besimit nga prindërit, të cilët e rritën brenda Kishës
përjeton një nevojë të madhe për ta parë besimin në një mënyrë më të pjekur dhe ta
pranojë në mënyrë shumë personale. Ky proces ndodh në mënyrë paralele me pjekurinë
fiziko-sociale dhe formimin e identitetit. Si pasojë, duhet ta shohë plotësinë e besimit të
krishterë orthodhoks ashtu si është përmbledhur dhe shprehur në Simbolin e Besimit.
Libri Ne Besojmë u ofron adoleshentëve mundësinë të shqyrtojnë mbështetjen e
Simbolit të Besimit në Shkrimin e Shenjtë. Në procesin e aplikimit të qëllimeve të çdo
teme në jetën e nxënësit, Kurrikula Biblike për Fëmijë dhe të Rinj lidh gjithashtu
aspektet e ndryshme të Dhiakonisë, shërbimit të Kishës.
Dhiakonia u bë pjesë e Kishës që në Pendikosti. Shërbimi në hapësira të ndryshme, që
prekte jetën dhe mirëqenien e popullit të Perëndisë, u shfaq dukshëm kur apostujt vunë re
nevojën për të ngritur shërbimin në Kishë, përmes caktimit të dhjakonëve të parë. Ne
mund t’i lidhim këto hapësira të shërbimit të krishterë, në përpjekje për të sjellë dashurinë
e Krishtit tek të varfrit dhe për të shkuar deri në skajet e tokës.
Tetëmbëdhjetë temat e librit Ne Besojmë 1 janë ndarë në kapituj sipas tematikave, të
cilët mbështesin fokusin për këtë vit: të shohim bazën biblike të besimit tonë, shprehur në
Simbolin e Besimit.
Gjithashtu çdo temë lidhet me traditën liturgjike dhe etërit e Kishës.
Kapitulli 1 – Në dy temat e këtij kapitulli fëmijët do të mësojnë për Biblën – si u krijua,
autorësinë, përmbajtjen e saj dhe si ta përdorin lehtësisht. Kjo do t’i përgatisë ta lexojnë
Biblën më me guxim, ndërkohë që vazhdojmë studimin e bazave biblike të Simbolit të
Besimit.
Kapitulli 2 – Katër temat në këtë kapitull flasin për Perëndinë, si Atin tonë të
Tërëfuqishëm, Krijuesi i gjithçkaje që ekziston dhe burimi i ekzistencës sonë.
Kapitulli 3 – Temat në këtë kapitull shpjegojnë kush është Jisu Krishti në marrëdhënie
me Atin, nëpërmjet shumë emrave që i jepen Atij: Biri, Zoti, Krishti, Mesia.
Paragrafi që flet për Personin e Dytë të Trinisë së Shenjtë, gjithashtu pohon se Jisu
Krishti është bashkëkrijues me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë: “Dhe
një një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të Vetëmlindurin, që lindi prej Atit
përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i
lindur jo i bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të Cilit u bënë të gjitha.”.
Kapitulli 4 – Ky kapitull qartëson më tej besimin e Kishës për domosdoshmërinë e
Mishërimit. Ai qartëson arsyen përse duhej të shpëtohej njerëzimi dhe bota; tregon
dëshirën e Perëndisë për të shpëtuar njeriun e rënë në kthetrat e vdekjes së përjetëshme,
me anë të dërgimit të Birit të Tij të Vetëmlindur; flet për mishërimin e Zotit tonë Jisu
Krisht, nëpërmjet një hulumtimi të Ungjillit dhe profecive që flasin për Atë dhe udhëzon
përmes pasazheve të ndryshme nga Shkrimi i Shenjtë, të cilat japin imazhet e natyrës së
vërtetë njerëzore të Jisu Krishtit.
Kapitulli 5 – Ky kapitull i ndihmon fëmijët të kuptojnë thellësinë dhe rëndësinë e
sakrificës së Jisu Krishtit në kryq dhe dhuratën që mori njerëzimi, nëpërmjet Ngjalljes së
Tij. Të katër mësimet do të japin një ide mbi pësimet e Zotit për hir të njerëzimit,
kryqëzimin e Tij, varrosjen dhe Ngjalljen në të tretën ditë.