METODOLOGJIA E KURRIKULËS BIBLIKE PËR FËMIJË DHE TË RINJ
Kurrikula Biblike për Fëmijë dhe të Rinj është një plan (program) për të rinjtë, me në
qendër Krishtin nëpërjmet të cilit ndajmë dashurinë e pafund të Perëndisë me të gjithë
njerëzimin.
Për traditat e ndryshme të besimit të krishterë Kurrikula Biblike për Fëmijë dhe të Rinj
arrin qëllimin e saj duke përfshirë në mësimet nga Shkrimi i Shenjtë edhe eksperiencat e
përjetuara të këtyre traditave.
Perëndia ka folur “Në shumë mënyra” (Heb. 1:1). Ai i është zbuluar popullit të vet në
të shkuarën. Ai e ka udhëhequr atë drejt së vërtetës. Zbulesa e Perëndisë është një proces
i vazhdueshëm. Për të krishterët orthodhoksë zbulesa e Perëndisë si një proces i
vashdueshëm quhet Traditë e Shenjtë e cila është shuma totale e eksperiencave të
përjetuara nga Kisha gjatë shekujve. Ajo shprehet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë,
liturgjive, mistereve, shkrimeve të etërve, dëshmisë së shenjtorëve, ciklit të kreshmëve
dhe festave, ikonave të shenjta, artit dhe muzikës së shenjtë etj.
Duke lidhur elementë të Traditës së Shenjtë me fokusin biblik të çdo mësimi, ne
shpresojmë që ta futim fëmijën në përjetimin e besimit të krishterë orthodhoks me anë të
të cilit do të rritet në marrëdhënien e tij me Jisu Krishtin.
Përveç kësaj, Kurrikula Biblike për Fëmijë dhe të Rinj përpiqet t’u qëndrojë besnike
parimeve të shëndosha të arsimit fetar dhe arsimit në përgjithësi dhe është udhëzuar nga
teoritë bashkëkohore të zhvillimit të besimit. Pikëpamja jonë ndjek modelin e metodave
të mësimdhënies së vetë Jisu Krishtit, Mjeshtrit të mësimdhënies.
Zoti ynë i ftonte njerëzit ta zbulonin vetë të vërtetën e mësimeve të Tij. Ai përdorte
tregime dhe paravoli, të cilat lidhnin njerëzit me eksperiencat e tyre në jetë. Përdorimi
prej Tij i tregimeve i ndihmonte dëgjuesit të hynin brenda tregimeve dhe t’i përjetonin
ato.
Jisui nuk u jepte informacion njerëzve, por u jepte mundësinë për të mësuar nëpërmjet
eksperiencës. Në terminologjinë bashkëkohore arsimore kjo quhet pikëpamje përvoje.
Gjithashtu, Jisui përdorte pyetjet për t’i bërë njerëzit të mendonin dhe të zbulonin vetë.
Duke ditur nivelet e ndryshme të zhvillimit të pasuesve të Tij dhe nivelet e ndryshme të
të qenit gati dhe të hapur për të pranuar, Ai nuk ua shpjegonte atyre tregimet përveç
dymbëdhjetë të zgjedhurve. Ai e dinte që në kohën e duhur fjalët e Tij do të jepnin fryt në
zemrat e tyre dhe ata do të arrinin të kuptonin.
Prandaj Jisui u soll me durim e dashuri me të gjithë duke pranuar nivelin që ata kishin
në ato momente. Duke e ditur fare mirë që zhvillimi shpirtëror është një proces që zgjat
tërë jetën, Zoti ynë me durim dhe pritje të pakushtëzuar pret që secili nga ne të arrijë
pjekjen shpirtërore.
PLANI I KURRIKULËS
Kurrikula jonë është hartuar për moshat nga 6-17 vjeç dhe përmban 36 mësime, të
ndara në dy vëllime për çdo vit. Secili vëllim shoqërohet me Manualin e vet të mësuesit.
Fokusi i mësimeve buron nga një tregim a pasazh nga Dhiata e Vjetër ose nga Dhiata e
Re. Mësimi nga Shkrimi i Shenjtë zhvillohet me një aktivitet hyrës, zbulimi, i cili i
ndihmon fëmijët të mendojnë për eksperiencat që kanë patur në jetë, të cilat do t’i
ndihmojnë të kuptojnë tregimin nga Shkrimi i Shenjtë.
Paraqitja e tregimit nga Shkrimi i Shenjtë përdor metoda të përshtatshme për çdo moshë
me aktivitete që pasojnë për prezantim, përforcim dhe zbatim.
Tregimet nga Shkrimi i Shenjtë për çdo vit organizohen rreth një teme të përshtatshme
për moshën e cila në mënyrë shumë efektive përfshin elemente të traditës së Kishës, një
pikë karakteristike kjo e Kurrikulës Biblike për fëmijë dhe të rinj. Në këtë mënyrë zbatimi
i mësimit nga Shkrimi i Shenjtë në eksperiencën e përjetuar nga Kisha mund të bëhet
lehtë.