Në shekullin VIII, Shën Joan Damaskini shkroi këtë himn të Ngjalljes:
Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi, o popuj, Pashka e Zotit Pashka. Se prej vdekjes te jeta dhe prej dheut në qiell na shpuri Krishti Perëndia ynë, duke kënduar këngë fitoreje.
Në periudhën në vazhdim, pra, nga Pashka deri në Pentikosti, leximet e Apostullit të të dielave na flasin për një komunitet besimtarësh që ishin plotësisht të përkushtuar te Perëndia dhe se jeta e tyre së bashku ishte e mbushur me Shpirtin e Shenjtë. Ata kishin dashuri për njëri – tjetrin, luteshin dhe shërbenin së bashku në një shoqëri të vërtetë të krishterë.
Ata që kishin më shumë, ndanin me ata që kishin më pak, dhe njerëzit lidheshin në mënyra që kapërcenin kufijtë e gjinisë, racës dhe kulturës. Jobesimtarët, kur haseshin me këtë komunitet besimtarësh, shikonin një vizion të jetës, që ishte kaq dinamik, sa nuk mund t’i rezistonin dot.
Veprat e Apostujve 2:47 na thotë: “Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar”.
Kjo është Kisha që ne si të krishterë orthodhoksë deklarojmë se jemi. Këta të krishterë ndriçonin me shkëlqim dritën e Krishtit. Në ngjalljen e Krishtit çdo gjë bëhet e re. Çdo gjë restaurohet. Në sheku-llin IV, Shën Grigor Theologu shkruante: “Sot i ka ardhur botës shpëtimi … Krishti u ngjall prej së vdekurish, ngjalluni edhe ju me Të. Krishti u kthye te Vetja, kthehuni edhe ju. Krishti u çlirua nga varri, çlirohuni edhe ju nga zgjedha e mëkatit. Portat e hadhit u shpartalluan dhe vdekja u shkatërrua” (Grigor Naziansi, Fjalimi i dytë për Pashkën).
Në Ngjalljen e Krishtit ne ndriçohemi, sepse Ai është drita e botës. Ashtu siç edhe na tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Joani 8:12). Të ndjekësh Krishtin, do të thotë që të kemi dritën e gëzimit dhe të haresë së Tij e cila ndriçon zemrat tona. Do të kemi një jetë me bollëk, me qëllim dhe plot kuptim.
Shenjtëria nuk është një gjendje e paarritshme, dhe nuk është vetëm për pak të zgjedhur. Shenjtëria është rezultat i natyrshëm i pagëzimit, nëse e shohim pagëzimin si fillim dhe jo si fund.
Dëgjoni disa prej lutjeve që thuhen gjatë pagëzimit:
· Çelja sytë e mendjes, që të shkëlqejë në të drita e Ungjillit tënd.
· Dhe bëje … bir drite dhe trashëgimtar të mbretërisë sate.
· Mbushe me fuqinë e Shpirtit tënd të Shenjtë.
Këto lutje kërkojnë që fara e mbjellë në zemrën tonë ditën e pagëzimit të rritet brenda nesh dhe të udhëheqë jetën tonë. Pagëzimi ynë nuk është fundi, por fillimi i rritjes sonë në besim në Jisu Krishtin. Thirrja jonë, si të krishterë orthodhoksë, është të përpiqemi të imitojmë shembullin e Krishtit. Ai është shembulli ynë kryesor.
Pagëzimi është hapi i parë drejt shpëtimit, por ky i fundit është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës së njeriut.
Peshkopi Kalistos Uer (Kallistos Ware) në librërthin e tij Si shpëtohemi? thotë: “Unë besoj se, nga mëshira dhe hiri i Perëndisë, po shpëtohem”.
Si të krishterë orthodhoksë, ne nuk jemi krijuar për të mos ndryshuar. Jemi krijuar që të bëhemi si Perëndia. Sfida jonë si besimtarë orthodhoksë është të dëgjojmë Ungjillin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, sikur të ishim duke e dëgjuar për herë të parë dhe ta lejojmë Atë të transformojë jetën tonë, të ripërtërihemi në Ngjalljen e Tij.
Të shpëtohemi, nuk është një ngjarje, por një proces. Është i njëjti proces që drejtoi në arritjen e shenjtërisë të gjithë ata që sot i përkujtojmë.
Hëna nuk ka dritë të sajën, prapëseprapë është në gjendje të ndriçojë natën duke reflektuar dritën e diellit. E njëjta gjë ndodh edhe me ne. Ne nuk kemi dritë nga vetvetja, por prapëseprapë mund të jemi ndriçues, duke reflektuar dritën e Krishtit nga mënyra se si jetojmë jetët tona.
Shenjtori është një mëkatar që përpiqet vazhdimisht. Shenjtor është ai që ua bën të tjerëve më të lehtë të besojnë Perëndinë. Konsideroni mundësinë që ju mund të jeni i vetmi i krishterë orthodhoks që një person tjetër takon në jetën e tij. A ndriçoni si Krishti? A e reflektoni dritën e Tij?
Nëse besojmë se në orthodhoksi ne kemi plotësinë e së Vërtetës, atëherë kemi përgjegjësinë e madhe që drita jonë të ndriçojë para gjithë njerëzve. Është detyra dhe përgjegjësia jonë që të mos e fshehim dritën tonë nën babunë. Le ta lejojmë dritën e Krishtit, që morëm në pagëzimin tonë, si dhe në Ngjalljen e Tij, dhe të lindet në zemrat tona. Le të Ndriçohemi!
Fjala Katekitike
e Atit tonë ndër shenjtorët, Joan Gojartit
Cilido shpresëtar dhe hyjdashës le të gëzojë këtë panair të mirë dhe të shkëlqyer. Cilido shërbëtor mirënjohës le të hyjë te gëzimi i Zotit. Ai që u mundua duke kreshmuar, le të gëzojë tani dinarin. Ai që punoi që prej orës së parë, le të presë tani shpagimin e drejtë. Ai që erdhi pas së tretës le të kremtojë me gjithë zemër. Ai që mbë-rriti pas së gjashtës le të mos dyshojë aspak, se nuk pëson asnjë dëm. Ai që u vonua deri në të nëntën, le të afrohet pa hezituar fare. Dhe ai që mbërriti vetëm në të njëmbëdhjetën, le të mos trembet nga vonesa.
Se Zoti, duke qenë zemërdhembshur, pret të fundit, sikurse edhe të parin, çlodh atë të njëmbëdhjetës, si atë që punoi që prej së parës. Dhe të fundit e përdëllen dhe të parin e shëron; dhe atij i jep, dhe këtij i fal; dhe punët i prêt, dhe mendimin e pëlqen; dhe veprën e nderon, dhe qëllimin e lavdëron.
Hyni, pra, të gjithë te gëzimi i Zotit tonë; dhe të pare, dhe të dytë, gëzoni rrogën. Të pasur dhe të varfër, vallëzoni me njëri – tjetrin; të përkorshëm dhe të ngathët, nderoni ditën; sa kreshmuat dhe sa nuk kreshmuat, dëfreni sot. Tryeza është plot, hani që të gjithë. Viçi është i shumtë, asnjë le të mos dalë i uritur. Të gjithë gëzojeni darkën e besës; të gjithë gëzojeni pasurinë e mirësisë. Asnjë të mos vajtojë për varfëri; se u shfaq mbretëria e përbashkët. Asnjë të mos qajë për faje, se ndjesa lindi nga varri. Asnjë të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit. E shuajti, kur përmbahej prej tij. E plaçkiti Hadhin Ai që zbriti në Hadh. E hidhëroi, kur ngjëroi mishin e tij; dhe këtë duke parashikuar Isaia, thirri: Hadhi u hidhërua, tha kur të hasi poshtë.
U hidhërua, se u shfuqizua. U hidhërua, se u përqesh. U hidhërua, se vdiq. U hidhërua, se u rrëzua. U hidhërua, se u burgos. Priti trup dhe gjeti Perëndi. Prit dhé, e hasi qiell. Mori atë që shikonte, dhe ra nga ajo që nuk shikonte. Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është mburrja jote, o Hadh?
U ngjall Krishti dhe ti u hodhe poshtë. U ngjall Krishti dhe ranë demonët. U ngjall Krishti dhe gëzohen engjëjt. U ngjall Krishti dhe jeta qytetërohet. U ngjall Krishti dhe asnjë i vdekur s’mbeti në varr.
Se Krishti, duke u ngjallur së vdekurish, u tregua ku-lloshtra e të fjeturve. E Atij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.