Home » Prindërit » Rëndësia e Biblës

Rëndësia e Biblës

Rëndësia e Biblës

At Luka Veronis

Hyrje
“ dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; dhe t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën, rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe çohesh. Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita mes syve, dhe do ti shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.” ( Ligji i Përtërirë 6:6-9)
Ashtu si trupi ynë që ka nevojë për ushqim të përditshëm që të jetojë, në mënyrë të ngjashme, edhe shpirti ynë ka nevojë për ushqim që të rritet dhe të piqet. Për të Krishterët një nga mënyrat më të mira për të ushqyer shpirtin është leximi i Biblës.
Për 2000 vjet, leximi i Biblës ka qënë një nga shtyllat e Kishës së Krishterë. Adhurimi i Krishterë, mësimet e Kishës dhe të gjitha shërbesat shpirtërore i kanë rrënjët e tyre në Shkrimin e Shënjtë. Pra, nëse duam t’a njohim Perëndinë dhe të mësojmë të jetojmë brënda Kishës, duhet që të studjojmë me kujdes Shkrimin e Shënjtë.
Bible na mëson jo vetëm rëndësinë e leximit të Shkrimit të Shënjtë, por gjithashtu në mëson që të bëjmë fjalën e Perëndisë pjesë të rëndësishme të jetës sonë. Më poshtë do të lexoni vargjet nga Bibla që theksojnë rëndësinë e Shkrimit të Shënjtë në jetën e përditshme.
“ Ky Libër i Ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjithë atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.” ( Libri i Jozueut 1:8)
“ Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve… por që gjen kënaqësi në ligjin e Zotit dhe mendon ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk fishken; dhe gjithshka bën do të ketë mbarësi.” ( Psalmi 1:1-3)
“ Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time! Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” ( Psalmi 119:103-105).
“ Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet.” ( Kol 3:16)
“ Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave dhe është në gjëndje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.” (Heb 4:12)
Bible gjithmonë ka qënë një nga thesaret më të mëdhenj të trashëgimisë së Krishterë Orthodhokse. Eshtë burimi kryesor i së vërtetës dhe burimi më krijues i gjithë adhurimit, doktrinës dhe shërbesave të Kishës.
Ja pse, Shën Isak Siriani thekson se guri më i madh për themelin e jetës dhe udhëtimit tonë shpirtëror, është përqëndrimi tek Bibla dhe te mençuria e saj.
Si u bënë Etërit tanë të Kishës, Shenjtorë dhe udhëheqës aq të mëdhenj? Një nga mënyrat kryesore ishte studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe zbatimi i mësimeve të tij. Shën Joan Gojarti besonte me shumë forcë në rëndësinë e tyre sa që e disiplinoi veten që të lexonte të gjitha letrat e Shën Pavlit të paktën dy herë në javë.
Shën Kozma i Kolkondasit i nxiste njerëzit, të cilëve u predikonte, që të mblidheshin në grupe prej 5-10 vetash, të lexonin dhe të diskutonin Biblën me njeri-tjetrin.
Shën Serafimi i Sarovit lexonte përveç të katër Ungjijve çdo javë, disa letra ose Veprat e Apostujve. Ai thoshte se e bënte një gjë të tillë sepse “ Unë bashkëbisedoj me Perëndinë, kujtoj Jetën dhe Vuajtjet e Tij dhe ditë e natë unë lavdëroj dhe falenderoj Shpëtimtarin për gjithë mëshirën që ka derdhur mbi gjithë njerëzimin dhe mbi mua të pavyerin.”
Ja tek janë disa thënie nga shënjtorët dhe Etërit rreth Biblës:
“Shkrimi i Shënjtë nuk na u dha që ta kemi në libra, por që ne ta gdhëndim atë në zemrat tona… dëgjoni ju përgjërohem të gjithëve, ju që keni kujdes për jetën e Krishterë… zhytuni në Shkrimin e Shënjtë, gëlltitini të gjitha brënda vetes dhe mos i harroni. Sepse shkaku i gjithë të këqijave është mos njohja e Shkrimeve.” Shën Joan Gojarti në predikimin 9 mbi letrën e Kolosianëve.
“ Mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohja e Krishtit.” Shën Jeronimi.
“ Për çdo vendim të moralshëm që merr dikush, për çdo vepër, për çdo mendim, duhet të ketë në mendje mësimet e Ungjillit… studjoni vazhdimisht Ungjillin deri në fund të jetës. Mos pushoni asnjëherë. Mos mendoni se e dini shumë mirë edhe sikur t’a keni mësuar përmendësh.” Peshkop Ignati Briankaninov.
“Studjoni me kujdes themelet mbi të cilat është ndërtuar Krishtërimi ynë Orthodhoks, domethënë, Shkrimin e Shenjtë. Sa njerëz që janë pagëzuar kanë humbur ose po humbin sepse nuk i kushtojnë dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje themelit të besimit tonë Orthodhoks? Çdokush që e lë pas dore këtë detyrë nuk do të ketë si të mbrohet ditën e frikshme të gjyqit.” Shën Inocenti, Apostull i Amerikës.
“ Duke studjuar Ungjillin e Shenjtë, zbulova në të mësime të shumëllojshme dhe të ndryshme që janë perla, diamantë, thesare, pasuri, gëzim, kënaqësi- jetë e përjetshm.” Shën Kozmai i Kolkondasit.
Të gjithë të Krishterët duhet të kuptojnë dhe të besojnë rolin qëndror që duhet të luajë në jetët tona fjala e Perëndisë. Nuk duhet të jemi si një njeri që ka një thesar dhe që nuk e përdor asnjëherë atë. Brenda këtij thesari ka diamantë, gurë të çmuar, ar, argjend dhe pasuri që nuk maten. Megjithatë në vend që t’a përdorim këtë thesar, ne vetëm sa ua tregojmë njerëzve. Në të vërtetë asnjëherë nuk e hapim që vëmë në përdorim ato pasuri, që të mund të trashëgojmë jetën e përjetshme.
Shën Tihoni i Zadonskut përdorte këtë shëmbull. “ Nëse një Mbret Tokësor do t’ju shkruante një letër, a nuk do t’a lexonit me gëzim? Sigurish me gëzim dhe me vëmendje të madhe. Juve ju kantë dërguar një letër jo nga ndonjë udhëheqës tokësor, por nga një Mbret Qiellor. Dhe megjithatë nuk e vlerësoni një dhuratë të tillë, një thesar që nuk ka të çmuar… Sa herë që të lexoni Ungjillin, ju flet vetë Krishti dhe ndërsa lexoni ju luteni dhe flisni me Të.”
Të lexuarit e Biblës është një bashkëbisedim me Perëndinë. Ai na flet që të na mësojë, të na udhëheqë dhe të na drejtojë. Bibla është një letër nga Perëndia e adresuar personalisht tek secili prej nesh. Të gjithë ne duhet të jemi të ngazëllyer për të lexuar atë ç’ka për të na thënë Krijuesi i Universit.

I. QELLIMI KRYESOR I LEXIMIT TE BIBLES.
Leximi i Biblës është një aventurë ngazëllyese, hyrje në një botë të re, një përvojë që mund të të ndryshojë jetën. Nëpërmjet leximit të Shkrimit të Shenjtë, dikush mund të bëhet i Krishterë, të trasformohet dhe shpërfytyrohet në një person të ri, në një krijesë të re.
Shkrimi i Shenjtë na ofron një jetë të re!!!
Tako Perëndinë dhe përjeto Jetën.
Një nga vargjet e fundit të Ungjillit sipas Joanit, kryesisht përmbledh qëllimin kryesor të leximit të Shkrimit të Shenjtë. Shën Joani ka shkruar: “ Këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jisui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” (20:31)
Ky, pra është qëllimi ynë- të takojmë Perëndinë e gjallë dhe të përjetojmë një jetë të re në Të. Duke lexuar Shkrimin e Shenjtë, Perëndia na zbulon se kush është Ai në një mënyrë të re, dinamike dhe duke njohur Perëndinë, fillojmë të kuptojmë vullnetin e Tij për jetën tonë. Mësojmë si ta jetojmë çdo ditë duke i shërbyer Atij dhe duke lavdëruar emrin e Tij. Jeta jonë merr përmasa të tjera. Ne kuptojmë se jeta e Krishterë është një jetë e pasur me gëzim, paqe, dashuri dhe shpresë!
Bible ësthë arka që mban thesarin. Kur ne e hapim atë, brenda shohim Krishtin, njihemi me të, përjetojmë dashurinë dhe shqetësimin që Ai ka për ne, bisedojmë me të- bisedojmë duke dëgjuar, duke mësuar, duke marrë, duke u përgjigjur dhe duke ndryshuar. Në këtë bisedë, ne mësojmë: 1. Cili është Perëndia; 2. Cilët jemi ne në të vërtetë; 3. Ç’është jeta – kuptimin e vërtetë të saj; 4. Ç’farë ka bërë Perëndia për secilin nga ne; 5. Si duhet t’i përgjigjemi asaj që ka bërë Ai për ne.
Duke lexuar zbulojmë se mesazhi qëndror i Biblës është dashuria- dashuria e Perëndisë për secilin prej nesh dhe për të gjithë botën, gjithashtu kuptojmë se sa shumë duhet ta duam ne Atë. Një nga mënyrat për ta zbuluar dhe përjetuar këtë dashuri është që çdo ditë të gjejmë pak kohë për të lexuar atë që përmban Shkrimi i Shenjtë.
II. FUQIA BRENDA BIBLES.
Ndërsa fillojmë t’a lexojmë Biblën ditë për ditë, fillojmë të përjetojmë fuqinë që Krishti i ofron çdo besimtari. Fuqinë për të mposhtur të keqen në jetën tonë dhe në botë. Shën Joan Gojarti shkruan se, “Mosnjohja e Biblës është burimi kryesor i të keqes në botë.”
Nëse duam të luftojmë në betejën shpirtërore në jetën tonë dhe në botën që na rrethon, luftën midis të mirës dhe të keqes, midis Perëndisë dhe Satanit, atëherë duhet “ Të marrim shpatën e Shpirtit, e cila është fjala e Perëndisë” ( Efes.6:17). Shën Joan Gojarti shkruan, “ Duhet të dallojmë qartë lojën e Djallit duke lexuar gjithmonë Shkrimet e Shenjta sepse është e pamundur që dikush të shpëtojë nëse nuk përfiton vazhdimisht nga leximi shpirtëror.”
Bible është një armë shpirtërore që n ambush me shpresë dhe jetë.
Aleksanër Sollzhenicin, intelektual i shquar Rus tregon për një njeri që takoi në një kamp përqëndrimi në Bashkimin Sovjetik. Ky njeri i thjeshtë gjithmonë rrezatonte qetësi, gëzim dhe kishte një qëndrim vllazëror. Kur Sollzhenicin kërkoi të gjente burimin e kësaj sjelljeje kaq të paqtë, vuri re se çdo mbrëmje kur shtrihej në shtrat ai nxirrte nga xhepi copëza letrash në të cilat ishin shkruar vargjet nga Bibla. Këto fjalë e kishi transformuar këtë njeri nga një të burgosur të pashpresë, të egër, të inatosur, në një njeri të dashur, të mirë dhe të paqtë.
Kjo pra, është fuqia transformuese që ka Bibla për çdo besimtar! Këtë duhet të kuptojmë edhe ne sa herë që marrim për të lexuar Shkrimin e Shenjtë.
III. SI TA LEXOJMË SHKRIMIN E SHENJTË.
Nëse dëshirojmë të përjetojmë këtë fuqi transformuese të Shkrimit të Shenjtë atëherë duhet të kuptojmë si duhet ta lexojmë Biblën.
a. Ta bëjmë Biblën tonën.
Së pari, duhet të vendosim që jo thjeshtë ta lexojmë Shkrimin e Shenjtë. Qëllimi ynë duhet të jetë që ta zotërojmë Biblën, TA BEJME TONEN fjalën e Perëndisë, ta bëjmë pjesë të jetës tonë. Ne duam ta përdorim Biblën si derë për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Për të bërë këtë duhet të udhëtojmë nëpër faza të ndryshme leximi.
Këto faza janë: dëgjimi, kuptimi, pranimi dhe zbatimi i të vërtetave të Shkrimit të Shenjtë në jetën tonë. Fatkeqësisht disa njerëz nuk shkojnë përtej fazave të para. Kur lexojmë Shkrimin e Shenjtë duhet të shkojmë përtej të dëgjuarit ose edhe të kuptuarit. A kemi lejuar që Fjala e Perëndisë të na ketë prekur dhe të na ketë hedhur në veprim?
Nëse e shikojmë leximin e Shkrimit të Shenjtë si një mister, si një mjet nëprmjet të cilit hiri i Perëndisë vjen mbi ne, atëherë qëndrimi ynë duhet të jetë shumë i përulur dhe një qëndrim prej të cilit duhet të presim shumë. Si një mister, duhet ta shohim Biblën jo vetëm si një mjet që na njeh me Perëndinë dhe rrugët e Tij, si një mjet që jo vetëm ndryshon udhët tona mëkatare në të perëndishme, por si një mjet që na transformon në një krijesë të re. nëpërmjet mardhënies me Biblën, ne kuptojmë më mirë se çdo të thotë të zhveshim natyrën e vjetër dhe të veshim të renë!
b. Lexoni me dashuri.
Duhet ta lexojmë fjalën e Perëndisë me dashuri. Teologu Georges Florovski shkruan, “Askush nuk përfiton nga Bibla nëse në fillim nuk është dashuruar me Krishtin. Sepse Krishti nuk është një tekst, por një person i gjallë dhe Ai banon në trupin e Tij, në Kishë.”
Sigurisht për disa njerëz kjo mund të mos jetë e mundur sepse ata ndoshta nuk e njohin Krishtin në një mënyrë të tillë, intime. Por sa më shumë që të lexojmë për Të dhe jetën e Tij dhe gjithë ato gjëra që Perëndia ka bërë për ne, aq më shumë do të mësojmë ta duam Krishtin. Dhe sa më shumë të duam Krishtin aq më shumë do ta kuptojmë Shkrimin e Shenjtë dhe do të transformohemi nga fuqia e fjalës së Perëndisa!
c. Lexoni duke patur një qëndrim lutës.
Duhet ta lexojmë Biblën duke patur një qëndrim lutës. Sa herë që t’a hapim Biblën, duhet të themi një lutje të shkurtër, për t’i kërkuar Shpirtit të Perëndisë të na ndriçojë, të na drejtojë dhe të falenderojmë Perëndinë për privilegjin e madh që të lexojnë fjalën e Tij të shenjtë.
Shën Isak Siriani thotë: “Mos iu afroni fjalëve të mistershme të Shkrimit të Shenjtë pa lutje dhe pa kërkuar ndihmë nga Perëndia.” Ose mund të thoni lutjen e shkurtër që themi në çdo Liturgji Hyjnore: “ O Zot njeri dashës, bëj që të shkëlqejë në zemrat tona drita e kulluar e njohjes së hyjnisë sate dhe çel sytë e mendjes sonë për të kuptuar mësimet e tua Ungjillore.”
d. Prisni që të dëgjoni Perëndinë.
Kur lexojmë Biblën, duhet të presim të dëgjojmë Perëndinë. Meqë Perëndia na flet personalisht, duhet t’a dëgjojmë dhe të presim që Ai të na thotë diçka që lidhje me jetën tonë. Duhet të presim që fjalët e Tij t’i përgjigjen pyetjeve për problemet që kemi në jetë. Mos e shikoni Biblën si një libër të vjetër historie, por si një libër të kohës i cili merret me jetën tonë të tashme! Prisni që të takoni Jisuin në një mënyrë të gjallë dhe dinamike sa herë që hapni arkën e këtij thesari të madh.
e. Lexoni me përulësi dhe bindje.
Duhet ta lexojmë Biblën me një mendje të përulur dhe me bindje. Përulësi do të thotë se ne do të mësojmë shumë të vërteta të reja. Shkrimi i Shenjtë do të na nxiste një ndjenjë frike dhe habie, sepse do të na zbulojë gjëra të panjohura. Nëse ulemi në qetësi dhe dëgjojmë Perëndinë të na flaës, vazhdimisht do të zbulojmë gjëra të reja. Sigurisht që do të ketë gjëra që nuk do t’i kuptojmë. Me kalimin e kohës do të kuptojmë gjithmonë e më shumë, por pavarsisht se sa shumë do të mësojmë, do të kemi gjithmonë gjëra të reja për të zbuluar. Prandaj ndërsa lexojmë, duhet të kemi përulësinë që të përqëndrohemi në ato gjëra që i kuptojmë dhe të most të kapemi pas atyre që nuk i kuptojmë.
Bashkë me qëndrimin e përulur, duhet të kemi dhe një mendje të bindur. Bindje që të dëgjojmë atë që na thotë Perëndia dhe të pranojmë çfarëdo gjëje që Ai na kërkon të bëjëm.
Bëjini të vërtetat Biblike udhëheqëse praktike të jetës suaj. Praktikoni fjalën e Perëndisë në jetën tuaj. Ashtu si shkruan Shën Mark Murgu: “ Ai që është i përulur në mendimet e tij dhe i përfshirë me gjëra shpirtërore, kur lexon Shkrimin e Shenjtë do që të praktikojë çdo gjë tek vetja dhe jo tek dikush tjetër.”
Së fundi, duhet të ndjekim shëmbullin e virgjëreshës Mari ditën e Ungjillëzimit, kur Kryeëngjëlli Gabriel i tha asaj se duhet të lindte Krishti. Ajo meditoi për ato që i kishte thënë Ai, i mbajti të gjitha në zemër, gati për t’i pranuar dhe për të bërë gjithçka që Zoti e kishte thirrur të bënte. Atëherë Maria tha: “ Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” ( Luka 1:38)
f. Lexojeni Biblën duke patur Kishën si autoritet.
Një mendje e përulur gjithashtu nënkupton të qënurit i bindur ndaj autoritetit të Kishës. Duhet të kuptojmë se Shkrimin e Shenjtë e kemi marrë nga Kisha. Pasi Krishti vdiq, u Ngjall dhe u ngjit në qiell, Kisha mbeti në tokë, jo Bibla. Bible erdhi nga Kisha. Prandaj Bibla nuk mund të kuptohet e ndarë nga Kisha.
Kisha na tregon sesi duhet t’i interpretojmë Shkrimet. Megjithëse Shkrimet janë një djalog personal, përsëri ne kemi nevojë për udhëzime dhe udhëzuesi ynë është Kisha.
Dhe së fundi duhet të kujtojmë që gjithmonë t’i nënshtrojmë mendimet tona në përvojën e përgjithshme të Kishës. Ne nuk mund të vëmë interpretimin tonë mbi atë të Kishës.
Gjithashtu duhet të kuptojmë se si libër i Kishës, qëllimi i Biblës është që të udhëheqë njerëzit tek Krishti dhe Shpëtimi. Të Krishterët Orthodhoksë nuk besojnë se çdo fjalë në Bibël është diktuar fjalë për fjalë nga Perëndia. Bible është një regjistrim i së vërtetës, por jo e përteta vetë. Vetë e vërteta është vetëm Perëndia! Prandaj dhe Kisha beson se Shkrimet janë pa gabime, sa herë që na flasin për Perëndinë, vullnetin e Tij për ne dhe rrugën e shpëtimit. Gjithësi nuk është pa gabime përsa i përket fakteve rreth shkencës (historisë, geologjisë, biologjisë etj.)
g. Bëjeni Biblën personale.
Shkrimin e Shenjtë duhet ta lexojmë në një mënyrë personale. Perëndia na ka dërguar një letër personale dashurie. Megjithëse libri u shkrua mijëra vjet më parë, përsëri ai ka vlerën e një letre personale për secilin prej nesh. Prandaj duhet të pyesim gjithmonë, “ Çfarë kuptimi ka ky pasazh për mua? Çfarë do të më thotë Perëndia? Si mund ta zbatoj këtë të vërtetë në jetën time? Çfarë vlere ka kjo ngjarje për besimin tim?
h. Bëhuni të disiplinuar në besim.
Së fundi duhet t’i afrohemi Shkrimeve me një mëndje të disiplinuar. Duhet ta disiplinojmë veten që ta lexojmë Biblën çdo ditë. Mendojeni sikur të ishte ushqimi juaj i përditshëm. Pa ushqim nuk mund të jetonim për një kohë të gjatë, po ashtu pa ushqim shpirtëror, shpirtrat tanë do të vdisnin.
Përpiquni të mësoni përmendësh pasazhe ose vargje nga ato që lexoni në Bibël, njësoj sikur t’ju duhej të stërviteshit për diçka. Shën Joan Gojarti thotë: “ Shkrimet nuk na janë dhënë që t’i kemi në libër, por për t’i gdhëndur në zemrat tona.” Psalmisti shkruan: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (Ps. 119: 11)
Madje dhe murgjërve të parë të shkretëtirës Egjiptiane (nën Shën Pakomin) ju ishte kërkuar që të mësonin përmëndësh të paktën Dhjatën e Re dhe Psalmet. Nëse e mbushim mëndjen me mendimet e bukura nga fjala e Perëndisë, atëherë do të kemi një shok të përhershëm që të na japë fuqi, ngushëllim, frymëzim, paqe dhe dashuri gjatë gjithë ditës!
IV. Përfundimin.
Bible është një arkë që mban thesarin që vjen nga qielli dhe gjithashtu është dera jonë për në Mbretërinë e Perëndisë. Eshtë një letër dashurie nga Zoti ynë për secilin nga ne.
Si duhet të përgjigjemi? A do ta hapim këtë arkë që mban thesarin sot dhe të fillojmë të bëhemi pjesëmarrës të pasurive të saj të mëdha?
Një sfidë me të cilën dua t’ju lë sot ësthë kjo. Vini një piksynim në jetën tuaj që t’i mësoni sa më mirë Shkrimet e Shenjta, ashtu si Etrit e Kishës. Keni përpara gjithë jetën, por FILLONI TANI. Vini një qëllim dhe pak nga pak zotërojini sa më mirë Ungjijtë (sipas Mateut, sipas Markut, sipas Lukës, sipas Joanit). Mësoni se përse flasi ata. Mësoni përmëndësh pjesët që ju pëlqejnë më shumë. Njihni se kush është në të vërtetë Jisu Krishti. Pastaj përqëndrohuni tek Veprat e Apostujve dhe tek Letrat. Pas kësaj, mësoni Psalmet dhe çdo pjesë të Dhjatës së Vjetër. Sigurisht që do t’ju duhet shumë kohë, por keni gjithë jetën përpara.

Timber by EMSIEN 3 Ltd BG